Secondary Adv

Përmbyllet balotazhi në 18 komuna në Kosovë, LDK forcë e parë

Balotazhi i zgjedhjeve vendore në Kosovë është përmbyllur në 18 komuna, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë forca e parë, duke fituar edhe në kryeqytet.

Procesi i balotazhit në 18 komuna të Kosovës përfundoi pa incidente, ndërsa qytetarët zgjodhën kryetarët e rinj në qendra të rëndësishme si Prishtina, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Gjakova. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet preliminare, duke njoftuar se në të gjitha komunat votimi është mbyllur plotësisht. Kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të përfundojë numërimi i votave të diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht, të cilat pritet të përfundojnë brenda dy javëve të ardhshme.

 

LDK fiton në pesë komuna, LVV dhe AAK në katër, PDK në tre

Sipas rezultateve të deritanishme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar në pesë komuna, duke u renditur forca e parë në këto zgjedhje. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë fituar nga katër komuna secila, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar tre komuna. Këto rezultate e konfirmojnë balancimin politik mes partive kryesore, me LDK-në që rikthen pozitat në disa qendra të rëndësishme urbane.

 

Prishtina rikthehet nën drejtimin e LDK-së

Në kryeqytet, kandidati i LDK-së Përparim Rama ka fituar ndaj rivalit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku. Ky i fundit e pranoi rezultatin dhe e uroi publikisht Ramën për fitoren. “E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj Prishtinës që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Do të vazhdoj të jem në shërbim të qytetit, me përkushtim dhe dashuri”, shkroi Çeku në një postim në Facebook, duke falënderuar qytetarët që e mbështetën në dy rundet zgjedhore. Sipas rezultateve preliminare, Çeku mori 48.46% të votave, ndërsa Rama siguroi shumicën që i garanton drejtimin e kryeqytetit.

Burimi: Scan Tv


Më të lexuarat